Warning: Trying to access array offset on false in /home/.sites/125/site7805860/web/wp-content/themes/neeon/functions.php on line 84

Urime festa e Kurban Bajramit/ Hutbeja e Bajramit

Falënderimet i takojnë vetëm All-llahut të Plotëfuqishëm, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin gjithmonë mbi mësuesin e njerëzimit, Muham-medin a.s, familjen, shokët e tij dhe të gjithë ndjekësit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra:

Sot, në këtë ditë madhështore, e gjithë bota Islame feston festën e madhe të Kurban-Bajramit, festën e bindjes dhe flijimit në rrugë të Zotit të Madhërishëm. Kjo festë vjen pas kryerjes së një prej obligimeve esenciale të Islamit, Haxhit, ku miliona besimtarë dhe besimtare nga mbarë rruzulli tokësorë ia mësyen shtëpisë së parë të ndërtuar për adhurim të pastër  ndaj All-llahut xh.sh, Qabes së bekuar, dhe dje ata ishin në malin e bekuar të Arafatit, duke lutur Zotin e Madhërishëm për mbarësi dhe falje mëkatesh. Haxhi është kushti i pestë i Islamit në të cilin demonstrohet në mënyrë praktike uniteti, barazia, solidariteti, edukata, flijimi, devotshmëria dhe madhështia e Islamit. Ne edhe pse nuk ishim sivjet fizikisht në vendin e shenjtë, në Qaben e bekuar, por jam i sigurt se të gjithë ishim të lidhur shpirtërisht me të dhe ku u munduam që të veprojmë gati se njejtë siq vepruan Haxhinjtë që gjenden atje edhe atë përmes Namazit( ku në cdo kohë i drejtohemi Qabes), lutjeve, flijimit, agjërimit në ditën e bekuar të Arafatit, therrjes së Kurbanëve, dhe këtë e vepruam vetëm për hirë të All-llahut të Madhërishëm e për asgjë tjetër, sepse kështu jemi të porositur në Kur’anin f.m ku i Lartëmadhërishmi thotë: ,,Thuaj: ,, Namazi im, Kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë vetëm për All-llahun, Zotin e botërave“ ( El-En’am,162).

Të nderuar të pranishëm:

Kësaj feste, madhështinë ia shtonë edhe therrja e Kurbanëve, therrje e cila bëhet vetëm për hirë të Zotit të Gjithpushtetshëm me qëllim falënderimi për mirësit e shumta që po na përcjellin vazhdimisht, gjithashtu afrim tek All-llahu xh.sh dhe kuptohet përkrahje për vëllezërit dhe motrat që janë të nevojshëm për ushqim nga Kurbani. Ajo që kërkohet prej nesh është që këto flijime të jenë me nijet të pastër vetëm për Zot, duke e ditur se Ai nuk ka nevojë për mishin apo gjakun e tyre, por shiqon bindjen tonë. Në Kur’an thuhet:

,, Te All-llahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj” (El-Haxh, 37).

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra:

Për fat të keq, edhe kjo festë e madhe e Kurban-Bajramit, gjeti muslimanët në shumë vende të botës në luftra, vrasje, mbytje, keqtrajtime, internime nga vendet e tyre e cka jo. Jemi dëshmitarë  kohëve të fundit ardhja e vëllezërve dhe motrave nga Syria, të cilët me vështirësitë më të mdhaja, me sakrificën më të madhe ikën nga shtëpitë e tyre dhe mezi shpëtuan kokat, duke udhëtuar me ditë e javë në këmbë, arritën në disa vende nëpër botë dhe gjithashtu edhe këtu në Europë. Do të ishte e padrejtë dhe johumane nëse të paktën nuk do t’i falënderonim vendet të cilët hapën kufijtë dhe i strehuan ata, duke treguar një zemërgjërësi dhe ngrohtësi ndaj tyre. Të njejtën e bëri edhe R. e Austrisë në përgjithësi dhe qyteti i Linz-it, ku strehoi një numër të madh të të ikurve nga zonat e luftës, dhe për këtë u jemi falënderues të gjithë organeve shtetërore, organizatave qeveritare dhe joqeveritare dhe të gjithë juve vëllezër dhe motra që në lloj-lloj forme ndihmuat dhe vazhdoni të e bëni të njejtën edhe sot. Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ju.

Të nderuar vëllezër, ju të pranishëm:

Në këto caste të bekuara të kësaj feste, lusim Zotin Fuqiplotë për mbarësi dhe qetësi në mbar botën. Të paktën sot në këto ditë të Teshrikut, cdo familje të jetë e gëzuar dhe e lumtur. Sot t’i hapim shtëpitë dhe zemrat tona për të gjithë. Sot nuk guxon të ketë vëllezër të hidhëruar mes vete dhe shtëpi të mbyllura. T‘ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe t‘ia falim për ndonjë lëshim eventual që kishim dhe tia urojmë festën e madhe të Kurban-bajramit. Të gjitha lutjet dhe adhurimet, sakrificat që i bëjmë të jenë të pranuara te All-llahu xh.sh. Zoti ynë, për hirë të kësaj dite madhështore lësho rahmetin dhe ndihmën tënde mbi të gjithë njerëzimin.

URIME  FESTA E MADHE E KURBAN-BAJRAMIT BASHKË ME MË TË DASHURIT TUAJ

 

Hutbe e mbajtur më 24.09.2015

Festa e Kurban-Bajramit

Imam, Menderez ef.Alili