Porosit dhe mesazhet e ditës së kurban-Bajramit

,, Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj, ti falu dhe prej kurban për hirë të Zotit tënd! E ska dyshim se urrejtësi yt është farësosur‘‘ (El-Kevther 1-3).

All-llahu ekber, All-llahu ekber, Lailaheil-lall-llah huvall-llahu ekber

All-llahu ekber veli-lahi elhamd

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm All-llahut Fuqiplotë. Përshëndetjet dhe selamet e përzemërta i përcjellim gjithmonë mbi zotriun e njerëzimit, mbi Muham-medin s.a.w. mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ndjekësit e rrugës së tij gjer në ditën e gjykimit.

Besimtarë të nderuar, vëllezër dhe motra:Më lejoni që në fillim t‘ ju përshëndes me përshëndetjen më të bukur që mund të ekzistojë, atë të banorëve të Xhen-netit, Es-selamu alejkum, we rahmetull-llahi we berekatuhu, Paqja, Mëshira dhe Begatia e All-llahut qofshin gjithmonë mbi ju.

Sot, në këtë agim të bukur të kësaj dite madhështore, në këtë festë mbarë Islame, edhe ne jemi tubuar në këtë vend të bukur, që ta madhërojmë Krijuesin absolut, All-llahun xh.sh, duke falë namaz, duke bërë ibadet dhe duke e falënderuar për të gjitha mirësitë që na ka dhënë, duke qenë të lirë, në paqë dhe me plotë të drejta për të manifestuar lirshëm fenë tonë madhështore Islame dhe festat e saja. Sot, kjo ditë, i gjen të gjithë besimtarët në mbarë rruzullin tokësorë, duke festuar ditën madhështore të kurban-Bajramit. Gëzimi dhe hareja shihet gjithandej, fytyrat e besimtarëve sot janë më të buzëqeshura se kurrë. Sot në këtë ditë feste, besimtarët janë më të mëshirshëm dhe më solidarë, më të kujdesshëm dhe më të butë, të gatshëm si asnjëherë më parë për të kontribuar për nevojtarët, jetimët, të sëmuarit, të shtipurit dhe për t’ia kthyer buzëqeshjen çdokujt që i mungon buzëqeshja nga hallet dhe sprovat e jetës. Këto janë momentet ku besimtari, vëllau-vëllaut ia shtrinë dorën e pajtimit, duke arritur të fiton betejën me djallin e mallkuar, i cili edhe në këto ditë festive luan rolin e shkatërruesit të mardhënieve familjare dhe shoqërore. Prandaj ne sot i bindemi vetëm All-llahut f.p. dhe të ua urojmë këtë Bajram edhe atyre që ndoshta ishim pak të hidhëruar dhe ndoshta kishim raporte jo të mira. Sot t’i hapim zemrat  dhe shtëpitë tona.

Beimtarë të nderuar, vëllezër dhe motra:

Edhe pse në disa vende të botës Islame nuk ka qetësi, ku ndoshta edhe sot luftohet dhe vriten njerëz me faj ose jo, ne nga ky mimber dhe nga kjo hutbe, lusim Zotin e Madhërishëm që t’i vetëdijëson ato grupe luftuese, të cilët me vetëdije ose pa të po e njollosin Islamin e pastërt.

Islami është fe e paqes, edhe emrin e bartë ,, Paqë‘‘dhe të gjithë ata që hynë nën ombrellën e këtij Islami të madh duhet të reflektojnë paqë, përndryshe, nëse nuk janë paqësorë, atëherë janë duke abuzuar me Islamin, vrasin, therrin dhe manipulojnë në emër të Islamit, dhe kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra:

Kjo festë na përkujton ngadhnjimin e besimit, bindjes dhe dashurisë ndaj All-llahut mbi të gjitha lakmitë e kësaj bote, bile edhe mbi pasurinë dhe femijët tanë. Këtë sprovë e përjetuan edhe dy pejgamberët e All-llahut xh.sh. Ibrahimi dhe Ismaili a.s.( babë e bir) por që të dy vërtetuan se jorastësisht ishin të zgjedhurit e Zotit. Ibrahimi a.s. tregoi gadishmërinë që të flijojë djalin e tij të cilin Zoti ia kishte falur në moshën e pleqërisë, diçka që për ne do të ishte absurde, por edhe gadishmëria e Ismailit a.s.ishte në nivel, shih si Kur’ani përshkruan bisedën e tyre:

,,O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?

 Ai tha: ,,O babai im, punoje atë që urdhërohesh e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve‘‘ ( ES-Safatë,102).

Ky ishte besimi, bindja e Ibrahimit dhe Ismailit a.s. dhe kështu duhet të jetë edhe bindja dhe devotshmëria jonë ndaj Zotit xh.sh. All-llahu këtë nijet të pastër ia zëvendësojë me një kurbanë të cilin e therri Ibrahimi a.s. dhe të njejtën e bëjmë edhe ne sot duke flijuar kurbanë për hirë të All-llahut. Na tregoi Zoti i Madhërishëm se tek Ai nuk arrin asgjë nga kurbani, as mishi e as gjaku i tij, por nijeti dhe devotshmëria jonë, prandaj këto flijime duhet të kenë bindje dhe sinqeritet. Në Kur’anin f.m thuhet: ,, Te All-llahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por te Ai arrin  bindja e juaj‘‘  (El-Haxh, 37).Kjo festë poashtu i gjenë njerëzit tanë dhe miliona të tjerë nga e gjithë bota në vendet e shenjta në Qaben e bekuar, ku edhe ata me nijetin më të pastër morën këtë udhëtim të gjatë për të qenë musafir të Zotit f.p. Besimtarët në çdo segment të jetës tregojnë vlerat e tyre njerëzore, therrin kurbanë, kryejnë haxhin dhe angazhohen për të mirë sepse Islami i mësoi të sillen dhe veprojnë si njerëz, andaj çdo veprim i tyre në përputhje me atë që kërkon Islami, i ngrit ata lartë dhe marin shpërblime tek Zoti i tyre.

Besimtarë të nderuar, vëllezër dhe motra:

Në këto çaste madhështore të festës së kurban-Bajramit, shfrytëzojmë nga rasti të përcjellim mesazhe të shumta drejtuar juve dhe familjeve tona, duke e lutur Madhërin e All-llahut f.p. që për hirë të kësaj feste madhështore të lëshojë rahmetin dhe mëshirën e Tij të madhe ndaj nesh, të fisnikërojë zemrat dhe shpirtrat tanë nga nifaku, nga xhelozia e tepruar dhe nga mendjemadhësia. Lusim Madhërinë e Tij që të sjellë paqë, gëzim dhe lumturi në familjet tona, të mbjellë dashuri në mesin tonë familjar, në shoqëri dhe në xhematet tona. O Zoti ynë, për hirë të kësaj ditë madhështore, shëroi të sëmuarit tanë, pasuroi të varfërit tanë, udhëzoe rininë tonë dhe mëshiroi të vdekurit tanë.

Zoti ynë, na prano ibadetet tona, sakrificën tonë, lutjet tona. Pranoe haxhin nga musafirët e Tu që gjenden akoma në shtëpinë tënde të bekuar, sepse Ti pranon vetëm prej të sinqertëve. Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga zjarri i Xhehen-nemit. Zoti ynë, na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët dhe besimtaret në ditën e dhënies së llogarisë.

Urime ju qoftë kjo festë madhështore e kurban-Bajramit, të shtrijmë dorën e paqës dhe tolerancës  me të gjithë. Ta gëzoni për shumë vite bashkë me më të dashurit e tuaj.

Mos të ketë lotë dhe mërzi  askund nëpër botë, por, vetëm paqë e mirësi për të gjithë.

All-llahu i Plotëfuqishëm na begatoftë, Amin

 

Hutbe e kurban-Bajramit

E mbajtur më datë 04.10.2014

Imam, Menderez Alili