Warning: Trying to access array offset on false in /home/.sites/125/site7805860/web/wp-content/themes/neeon/functions.php on line 84

Muham-medi a.s. mëshirë për mbarë krijesat

,,Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëronie pra atë (duke rënë salavate) dhe përshëndeteni me selam“ ( El-Ahzab-56).

Jemi në prag të ditëlindjes së krijesës më të dashur të Zotit xh.sh, krijesës më të bukur që shkeli në  tokë, ai për të cilin u krijua cdo gjë në gjithësi, ai për të cilin kemi nevojë  në këtë botë dhe gjithashtu do të kemi nevojë edhe më të madhe në botën tjetër që të përfitojmë  nga shefaati i tij, ai që me ardhjen e tij në këtë botë njerëzimi fitoi shumë duke dalë nga një tunel i gjatë e me errësirë të pafund në dritën e cila reflektoi mbi arsyen njerëzore dhe  ndricoi që të gjithë. Ardhja e tij në këtë botë definitivisht qenien njerëzore e ngriti në piedestalin e duhur, burrit ja dha pozitën e tij si burr, gruas  tretmanin që e meriton ta ketë si një qenie e cila është shumë e vlefshme në familje dhe në shoqëri. Ndikimi i tij u pa te të gjithë, sepse nga ardhja e tij në këtë botë, cdo kush u pozicionua në vendin që i takon dhe e meriton ta ketë. Ky është Muham-m,edi s.a.w.s të cilin i Plotëfuqishmi e dërgoi mëshirë për mbarë botërat, siq tha në Kur’anin f.m :

,, Ne me të vërtet të kemi dërguar mëshirë për mbarë krijesat“ ( El-Enbija, 107)

Muham-medi a.s lindi në Mek-ke më 20 prill të v.571 vit ky i njohur në histori si viti  elefantit, nga shkaku se në këtë vit Ebrehaja (sunduesi i Jemenit) me një ushtri shumë të madhe me elefantë u nis drejt Mek-kes me qëllim që ta rrënoj Qaben e bekuar dhe që pastaj njerëzit ti drejtohen për vizitë  katedrales së madhe që gjendeshte atje. Thuhet se Muham-medi a.s lindi diku pesëdhjetë ditë  pas kësaj ngjarje. Lindi nga prindërit Abdull-llahu dhe Amineja, por deshti  Zoti që edhe ky të përjetojë të rriturit jetim, ngase babai u nda nga kjo jetë dy muaj para se të lindë , ndërsa nëna, kur ai ishte gjashtë vjec dhe Muham-medi vogël rritet në duar të njerëzve të afërm të cilët u përkujdesën mjaft mirë për të. Në fillim ishte nën përkujdesjen e gjyshit të tij Abdulmutalibit dhe më pas nga xhaxhai i tij Ebu Talibi. Si i vogël dalloheshin tek ai tipare të shëndosha që nuk ishin tek njerëzit tjerë. Nga rinia e tij njerëzit krijuan një bindje të shëndoshë mbi të, duke i besuar në shumë situata duke ia besuar shumë punë dhe detyra e që më pastaj vet ata ta emërtojnë me një emër, El- Emin” besniku. Ai përkrahte vazhdimisht aksionet shoqërore, përparimtare dhe humane. Sinqeriteti në fjalë, besnikëria në vepra, sjellja e shkëlqyer me njerëzit tjerë, shmangja nga fitimet e ndaluara, mosbindja ndaj idhujve si dhe shumë tipare  tjera ishin pjesë e jetës së Muham-medit a.s para shpalljes. All-llahu i Madhërishëm e ruajti Pejgamberin a.s nga shoqërimi me mekasit idhujtar gjatë lojrave dhe zbavitjeve të tyre, nga përkulja ndaj zotrave të bërë nga druri , guri dhe nga ushqimet, e ruajti nga konsumimi i alkoholit, nga lojrat e fatit, nga shprehjet e liga, sharjet e ofendimet, pra,  duke e përgatitur për një mision shumë të vështirë dhe me përgjegjësi të madhe siq edhe u pa në vazhdim.

Në moshën dyzet vjeqare, Muham-medin a.s filloi ta brejë edhe më shumë injoranca dhe gjithë ajo qfarë po ndodh me popullin e tij. Qabeja, shtëpia që e kishte ngritur Ibrahimi a.s me djalin e tij Ismailin a.s. ishte e papastër dhe e rrethuar me idhuj (360 idhuj) ku secili fis dhe secila familje kishte zotin e vet ku u bëheshte adhurim. Muham-medi a.s ikte nga kjo situatë dhe shumë kohë vetmohej në një shpellë largë Qabes dhe aty meditonte dhe mundoheshte të gjen një lloj qetësie shpirtërore. Një ditë derisa po rrinte i vetmuar në shpellën Hira, ndodhi ngjarja që e tronditi Muham-medin a.s: iu paraqit meleku Xhibril i cili me porosinë nga All-llahu xh.sh ia kumtoi fjalët e para të shpalljes Hyjnore, pesë ajetet e para të sures ,,El-Alek” fjalë që për Muham-medin a.s ishin të panjohura dhe të paqarta sepse u urdhërua me forcë edhe atë ,, Lexo” kur dihet nga  fakti se ai ishte nga ata që nuk dinte lexim. Kjo ngjarje tronditëse për të, ndodhi më 27 të muajit Ramazan.

Xhibrili a.s e shtrëngoi aq fortë Pejgamberin a.s sa ishte duke iu ndalur frymëmarrja, duke ia bërë me dije se kjo detyrë dhe ky mision i cili sonte do të nisë, nuk do të jetë aspak i lehtë sepse gjatë kësaj rruge të filluar do hasësh në vështirësi, mospranim, refuzim, malltretim, largim, izolim, urrejtje, rrahje dhe shpërngulje nga vendlindja. Muham-medi a.s u kthye në shtëpi i tronditur dhe frikësuar jashtëmase, hyri në dhomë dhe kërkoi nga bashkëshortja e tij Hadixheja r.a. që ta mbulojë sepse kishte përjetuar një tmerr dhe e kishin kapluar ethe dhe temperaturë sa që në fillim nuk ishte në gjendje që ti rrëfehet as bashkëshortes së tij. Kur e mori pak vehten, ia rrëfeu atë që i kishte ndodhur në shpellë. Hadixheja r.a demonstroi pjekurinë e saj duke e qetësuar shpirtërisht Muham-medin a.s dhe duke e inkurajuar për një të ardhme të mirë dhe të suksesshme duke i thënë: Mos u frikëso, Zoti ytë nuk të dëshpron, sepse ti i mban të afërmit, e mbron të dobëtin, i jep nevojtarit, nderon musafirët, flet gjithmonë të vërtetën dhe bën mirë kur të mundesh. Pra i dërguari i All-llahut edhe para shpalljes posedonte këto cilësi fisnike. Për ta kuptuar situatën si duhet, Hadixheja r.a. bashkë me Muham-medin a.s shkuan tek një i afërm i saj i quajtur Vereka ibën Neufejl, icili ishte në moshë të thyer dhe i verbër, por një njeri i ditur dhe i cili nga leximet në Tevrat dhe Inxhil dinte shumë mirë për ardhjen e Pejgamberit të fundit. Kur ndëgjoi rastin që i kishte ndodhur Pejgamberit a.s në shpellë tha: Ky është Meleku që i kishte ardhur edhe Musës a.s, duke e paralajmëruar për profetësinë. Ah sikur të isha më i ri dhe do të ndihmoja cdo moment kur njerëzit e tu do të nxjerrin nga vendlindja dhe do të përbuzin. Pse a do të më nxjerrin jashtë pyeti Pejgamberi a.s? Po, u përgjigj Vereka, sepse cdo pejgamberi i ka ndodhur një gjë e tillë. Nga këtu filloi misioni i Pejgamberit a.s dhe gjatë 23 viteve iu shpallë Kur’ani f.m, ajet pas ajeti,pjes-pjesë, sure pas sure deri në kompletimin e përgjithshëm siq e kemi edhe sot e kësaj dite. Misioni i tij ishte vërtet ashtu siq u paralajmërua, i rëndë, por që Muham-medi a.s me ndihmën e Zotit të Madhërishëm e kreu me sinqeritetin më të plotë duke mos u ankuar për asgjë nga ato që i përjetoi gjatë periudhës 23 vjecare. Gjat kohës së Pejgamberisë Muham-medi a.s bëri reformat më të mdhaja që njihen në historinë njerëzore dhe të cilat janë të paarritshme për askend pas tij. Me mënyrën e thirjes, butësinë, elokuencën, mjeshtrinë, dashurinë, zgjuarsinë, burrërinë ai arriti të përfitojë shumë zemra që deri në atë kohë ishin të egërsuara. Atij iu përgjigjën njerëz nga të gjitha shtresat duke filluar nga më të dobëtit, të varfurit e jetimat e deri te njerëzit me influencë e autoritet të madh në atë shoqëri. Fjalët e tij prej një reformatori të lindur i dhan njerëzimit dhe mbarë botës  gjithcka që u duhej dhe ishte më se e nevojshme, lirinë shpirtërore, dashurinë ndërnjerëzore, paqën dhe sigurinë për të gjithë shtresat pa i dalluar njerëzit në baza të pozitës, famës, fisit, pasurisë etj. Thirrja e Muham-medit a.s plotësoi thirrjen e të gjithë Pejgamberëve, sepse të gjithë thirrnin në monoteizëm, besim në një të vetmin Zot. Muham-medi a.s plotësoi atë zbrastirën nga Pejgamberët që ishin para tij sepse ky ishte i dërguar për të gjithë popujt. Ai tha në një hadith:

,, Shembulli im dhe shembulli i pejgamberëve që ishin para meje është sikur një burr i cili ka ndërtu një ndërtesë të bukur dhe e ka rregulluar mirë, por e ka lënë një tullë pa e vënduar në njërën nga anët e kësaj ndërtese. Njerëzit vinin rreth e rrotull kësaj ndërtese dhe cuditeshin e thonin: përse nuk e ka vëndu këtë tull? Ja pra unë jam ajo tulla që mungonte dhe unë jamë vula e të gjithë Pejgamberëve” (Buhariu).

Qëllimi i dërgimit të Muham-medit a.s në këtë botë ishte përmirësimi i mardhënieve ndërnjerëzore dhe përsosja e moralit. Ai tha në një hadith:

,, Nuk jam dërguar vecse për të përsosur moralet e larta”

Muham-medi a.s misionin e nisur e kreu me një përkushtim shumë të thellë dhe tërë atë që ishte i ngarkuar e realizoi në përpikni duke mos mbetur asgjë pa u sqaruar pamarparasysh në cilën temë bisedohej, atë e spjegoi Muham-medi a.s me anë të Kur’anit f.m dhe haditheve të tij. I bindur në atë se një shoqëri nëse nuk posedon raporte të mira mes vete dhe morale të larta, ajo shoqëri nuk mund të quhet e shëndoshë dhe e mëshirshme. Nëse aty janë prezente veprat e ulta si amoraliteti, mashtrimi, tradhëtia nuk mund të kemi shoqëri të shëndoshë dhe përparimtare. Amund të jetë një kompani e suksesshme nëse punëtorët aty e urejnë njëri-tjetrin? Amund të jetë një familje e shëndoshë dhe e rehatshme nëse në mesin e tyre nuk ka besim dhe nuk duhen mes vete? Amund të qëndrojë një shoqëri nëse nuk ka moral dhe besueshmëri? Natyrisht se jo.  Muham-medi a.s arriti që të formon shoqëri të shëndoshë, familje të rehatshme dhe xhemat që jetoi në besim dhe  unitet  mes vete, dhe për atë Islami u përhap me të madhe duke prodhuar njerëz që i mban mend historia duke i shënuar me shkronja të arta. Sot, si kurr më parë flitet, shkruhet dhe diskutohet në mbarë globin mbi Muham-medin a.s edhe atë më shumë nga jomuslimanët. E tërë jeta dhe angazhimi i tij po studiohet në përpikni duke marrë cdo detaj nga përditshmëria e tij dhe duke e analizuar se si arriti tërë këtë sukses në ato kushte dhe rrethana të asaj kohe, që sot e kësaj dite edhe dietarët dhe shkencëtarët më të mëdhenj nuk kanë mundësi në dicka të tillë. Ai fjalët e thëna i bëri edhe vepra, duke u nisur nga parimi Islam se fjalët pa vepra janë të padobishme. Muham-medin a.s  e gjenë gjithkund ku ishin muslimanët. Atë e takon në mesin e të varfurve sepse ai ishte i tillë, në mesin e jetimëve sepse jetim u rrit vet ai. Ishte në luftë me shokët, në paqë me ta. Rrinte me ditë të tëra pa ushqim sepse nuk kishte sikur shumë njerëz. Atij nuk i gjindet ndonjë e metë, dobësi ose ndonjë skandal, siq u gjindet njerëzve udhëheqës në histori por edhe sot e kësaj dite. Ai ishte i mbrojtur nga ana e të Plotëfuqishmit. Atë e ke modelin më të mirë që mund ta ndjekish. Nëse don të jesh prind i suksesshëm mëso nga ai. Nëse don të jeshë edukator, mësues, bashkëshort, shok, punëtor, udhëheqës, komandant ushtrie e shumë cka tjetër, motivohu dhe armatosu nga jeta e tij shembullore. Ai na mësoi se për të qenë të suksesshmë në këtë jetë dhe fitues në jetën tjetër atëherë mbështetuni dhe adhuroni Zotin një. Me adhurimin  ndaj Zotit të Madhërishëm duhet të kemi synim që  të arrijmë dicka të madhe, kënaqësinë e Zotit xh.sh. Gjithashtu na mësoi se të mirat(sevabet) fitohen shumë lehtë dhe jo vetëm me të holla, por edhe në forma tjera  vetëm mvaret ne a kemi dëshirë. Ai tha:

,, Buzëqeshja jote ndaj vëllaut tënd është lëmoshë, të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga të këqijat është lëmoshë, të mbushësh enën e vëllaut tënd nga ena yte është lëmoshë, të largosh gjëra që i pengojnë njerëzit në rrugë është lëmoshë, të ndihmosh një njeri që nuk sheh në rrugë është lëmoshë. Kurse lëmosha më e madhe është ajo që e vendos në gojën e gruas tënde”.

Ai gjatë jetës së tij si Pejgamber mori pjesë në shumë beteja luftarake, por edhe në situata të tilla edhe ndaj armikut u tregua i sinqertë dhe vazhdimisht porosiste shokët që edhe pse janë në luftë të sillen mirë me fëmijët, me gratë, pleqët, invalidët, me pasuritë dhe pronat e tyre, mos ti prishin vendet e tyre të lutjeve dhe mos të vriten ata që dorëzohen. I la të lirë njerëzit në besimet e tyre të zgjedhura dhe askujt me dhunë nuk ia imponoj Islamin. Askujt nuk ia cenoi të drejtat e tyre edhe pse jetonin tanimë në shtetin Islam. Në fund të jetës së tij, Muham-medi a.s udhëtoi në Mek-ke në haxhin e lamtumirës ku aty e pritën mbi 100 mij njerëz dhe aty e pa me sytë e tij frytin e punës së tij shumëvjeqare. Më nëntë dhulhixhe mbajti në Arafat një fjalim në të cilin ua sqaroi muslimanëve disa nga rregullat më kryesore Islame dhe kjo njihet si ,, Hutbeja e Lamtumirës”(shkurtimisht ca pjesë nga kjo hutbe):

 Pasi e falënderoi Zotin e Madhërishëm, Pejgamberi a.s tha:

,, O njerëz, dëgjoni fjalët e mia, sepse nuk e di a do takohemi edhe njëherë në këtë vend. Jeta dhe pasuria derisa të dilni para All-llahut, le të jenë për ju të shenjta sikurse është e shenjtë kjo ditë dhe ky muaj. Ju me siguri do të dilni para Zotit dhe Ai do të ju pyes për veprat tuaja. Unë ju solla dhe ju shpjegova urdhërat e Zotit. Te kush gjendet ndonjë gjë në ruajtje, le t’ia kthejë atij që ia ka besuar. Bie poshtë dhe hiqet cdo kamatë e interes. Juve ju takon aq sa i keni huazuar ndokujt. As ju nuk duhet të dhunoni, e as juve nuk duhet të ju dhunon kush. Zoti ka thënë se nuk ka kamatë. Tërë kamata e Abasit bie poshtë dhe hiqet.  Cdo gjakmarrje, që është bërë para Islamit, është anuluar.Gjakmarrjen e parë, të cilën po e anuloj unë është gjaku i Ibni Rebiut. O njerëz, shejtani e ka humbur shpresën se do të adhurohet ndonjëherë në këtë tokën tuaj, por ai është i kënaqur në qoftë se ju e ndëgjoni për ato gjëra, të cilat ju i quani të vogla. Ruajeni fenë tuaj nga Shejtani i mallkuar. O njerëz, ju keni detyrime ndaj grave tuaja edhe ata kanë detyrime ndaj jush. Ato janë të obliguara të mos e shkelin besnikërinë bashkëshortore dhe të mos  bëjnë dicka të pahijshme. Po që se bëjnë dicka kësisoj, keni të drejtë të mos fleni me to dhe ti qortoni. Në qoftë se heqin dorë nga sjelljet e këtilla, atëherë e keni për detyrë t’i ushqeni dhe t’i vishni mirë. Silluni mirë me gratë, sepse ato janë si të zëna rob te ju, nuk e zotërojnë veten e tyre. Ju i keni marrë me amanetin e Zotit dhe i keni bërë tuajat. O të vdekshëm! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin tuaj, Krijuesin e materiales dhe jomateriales, i Cili krijoi  meshkuj dhe femra prej të cilëve u zhvillua gjinia njerëzore. Shprehni respektin e nevojshëm ndaj farefisit. Fëmija e fiton Xhen-netin nën këmbët e nënës së tij. Ruajuni nga prostitucioni, tradhëtia bashkëshortore dhe xhelozia. Martohuni me ata që i doni. E kur vullneti i Zotit t’ju bashkojë, atëherë respektojeni dhe duani njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri dhe harmoni të vërtetë.O njerëz, dëgjoni këto fjalë të mia, sepse unë ju shpjegova. Unë po ju lë ato që nëse i përmbaheni, nuk do ta humbni  rrugën kurr. Qartazi këto janë: Libri i Zotit (Kur’ani f.m) dhe  Suneti i Pejgamberit të Tij. O njerëz, dëgjoni cka po ju them. Cdo musliman është vëlla i muslimanit dhe të gjithë muslimanët janë vëllezër. Askush nuk guxon të marrë nga tjetri  dicka, pos asaj që vëllau ia jep me dëshirë. Mos e dhunoni  vetveten. O njerëz flitni vetëm të vërtetën dhe mos tradhtoni premtimin e dhënë. O njerëz, ju që jeni prezent sot në këtë fjalim, përcillne edhe tek ata që nuk ishin sot këtu me ne. Pastaj Pejgamberi a.s lehtas pyeti: O njerëz, a e kreva porosinë dhe kumtesën time? Të gjithë njëzëri thanë: Po ja Resulall-llah. Pejgamberi a.s tha: O Zot dëshmoje se e kreva me sukses misionin tim dhe mu bëj dëshmitar!. Atëherë Zoti xh.sh shpalli ajetin e fundit me të cilin edhe kompletoi shpalljen e Kur’anit f.m ku thuhet:

 ,, Sot përsosa pë ju fenë tuaj, plotësova dhuntin Time ndaj jush dhe jam i kënaqur që për fe e juaj të jetë Islami” (El-Maide,3).

Shume nga njerëzit mbas këtij fjalimi dhe mbas shpalljes së këtij ajeti e kuptuan se i dashuri i tyre shumë shpejt do të largohet nga kjo botë. Muham-medin a.s e kaploi një sëmundje sa që e largoi edhe nga vendi më i dashur për të, nga Xhamia. Herë pas here edhe pse i sëmurë, me ndihmën e bashkëshortes së tij h. Aishes r.a. dilte deri në xhami dhe kënaqeshte kur i shihte ashtu muslimanët të bashkuar dhe të rradhitur në safe, sepse për këtë bashkim dhe vëllazërim ishte munduar në maksimum. Ebu Bekri, shoku më i ngushtë i tij e zëvendësonte atë në xhami si imam( dhe në bazë të kësaj edhe u bë zgjedhja e tij si halife, duke thënë se: pasi  Pejgamberi a.s ia besoi këtë detyrë, pse edhe ne mos t’ia besojmë postin e udhëheqësit tonë?!)

Muham-medi a.s doli edhe një herë në xhami dhe u ul në shkallën e parë të mimberit, e falënderoi Zotin dhe pastaj iu drejtua besimtarëve:

,, O ju njerëz, unë po dëgjoj se ju po keni frigë se do të ju vdesë Pejgamberi. Vallë, a mbeti ndonjë pejgamberë me popullin e vet që të mbetem edhe unë? Unë do të shkojë te Zoti im, e ju do të vini pas meje. Ju porosis që të kujdeseni për muhaxhirët e parë, ndërsa muhaxhirët i porosis që të kujdesen për njëri-tjetrin, sepse Zoti xh.sh thotë:

 ,, Pasha kohën! Cdo njeri është në humbje përpos atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe që e porosisin njëri-tjetrin që ta duan të vërtetën dhe durimin”(El-Asr,1-3).

 Cdo gjë rrjedh sipas ligjit të Zotit, e në qoftë se për dicka ju bëhet vonë, mos nxitoni, sepse Zoti nuk do të nxitojë për askënd ngase dikujt i ngutet. Kush dëshiron t’ia kalojë Zotit, Zoti do t’ia kalojë atij, kush provon ta mashtrojë Zotin, Zoti do të bëjë që ai mashtrim të kthehet kundër tij. Vallë, a mund të pritet nga ju, kur të bëheni të zotët, do t’i prishni njerëzit dhe do të shkaktoni grindje në vend e nuk do të kujdeseni për farefisin. Unë ju porosis që të kujdeseni edhe për Ensarët(vendasit), sepse ata ju pranuan në shtëpitë e tyre. Të mirat ua ktheni me të mira. A nuk i ndanë ata frytet e veta me ju, a nuk ju bënë mjaft vend në shtëpitë e tyre? A nuk ju dhanë ata prej atyre që edhe vetë kishin nevojë? Cilido prej jush që do të zgjidhet për të gjykuar, prej atyre le t’i pranojë ata që punojnë mirë, e le t’i falë ata që gabojnë. Mos silleni keq ndaj tyre. Unë ju pres e do të më gjeni. Vendi i takimit tonë është Havdi (burimi). Kush dëshiron të arrijë deri në Havd, le ta ruajë dorën dhe gjuhën e vet nga ajo që nuk duhet të bëjë.

Kur doli edhe njëherë tjetër në xhami, Muham-medi a.s iu drejtua njerëzve:

,, Kujt i kam rënë në shpinë, ja ku është shpina ime dhe le të ma kthejë. Kënd e kam fyer, ja ku jam për ta përmirësuar këtë, kujt i kam marrë pasuri, ja ku është pasuria ime dhe le ta marrë e mos të frikësohet se do ta urrej për këtë, sepse këtë nuk e kam zakon”.

Disa nga cilësitë e jashtme dhe të mbrendshme të  Pejgamberit a.s:

Muhamedi a.s nga pamja e jashtme ishte shumë i bukur. Në shiqim të parë vërehej dinjiteti dhe madhështia e tij. Ngjirën e lëkurës e kishte të bardhë të ndritshme, gojën e bukur, ballin e gjërë, vetullat e holla, sytë e zi e të mëdhenj, hundën pak të lëshuar, fytyrën e rrumbullakët, mjekrrën e zezë e të shpeshtë, krahërorin e gjërë, trupin mesatar, flokët pak kacurrelë. Kishte një zë të bukur, që dëgjohej dhe kuptohej larg. Shpesh ishte buzagaz. Kur ecte, hecte me hapa të sigurt. Nga ai dilte gjithmonë një erë e këndshme. Nuk hapte shumë gojen dhe nuk përqeshte. Gjithashtu sa ishte i bukur në pamjen e jashtme ashtu ishte edhe shpirtërisht. Kishte një natyrë të bukur. Ishte i mencur. i donte të varfërit dhe sillej butë me njerëzit. Kush rrinte me të, nuk mërzitej kurrë. Kur shkonte në ndeja uleshte aty ku kishte vend të lirë. Shokët e tij e respektonin pamasë. Zemërohej kur shkileshin ligjet e Zotit, por asnjëherë për ceshtje personale. Nuk hakmirrej por shumë falte. Kishte devotshmëri të plotë ndaj Zotit, kishte frigë edhe pse Zoti ia kishte falur të gjitha gjunahet në të kaluarën edhe në të ardhmen. Ishte stabil dhe i durueshëm, prandaj edhe misionin e kreu me sukses. Ishte shumë bujarë. Nuk kishte ndodhë që dikush t’i kërkojë diqka e ky mos të ja jepte. Përherë i nderonte shokët, kurrë nuk kishte shkaktu ndonjë ngatërresë mes njerëzve. Kishte kujdes edhe në veshje dhe dukjen e tij të jashtme. Pyeste për njerëzit që nuk i shihte një kohë, e kur kuptonte se ndonjëri ishte i sëmurë e vizitonte dhe këtë e bënte edhe te pabesimtarët duke i vizituar edhe ata në raste të rënda dhe sëmundje. Kur vdiste ndokush merrte pjesë në varrim dhe luteshte për të. Kur ishte fjala për të vërtetën dhe të drejtën, të gjithë ishin të barabrtë si i pasuri si i varfuri. Nuk dalloheshte nga njerëzit që i shërbenin si në veshje dhe në ushqim. Nuk fliste kurrë pa nevojë. Ndonjëherë edhe bëntë shaka, por krejt në sajë të lejuarës dhe kishte kujdes mos lëndohet ndokush nga ajo shaka. Ndihmonte në punët e shtëpisë. Hante pa e zgjedhur ushqimin dhe kurr nuk e tepronte. Kur e pyetën h.Aishen se si ishte Pejgamberi a.s, ajo tha: Ai ishte Kur’ani që ecë.

E gjithë kjo që u tha në lidhje me Muham-medin a.s (në pamundësi,vetëm pak është cekur në këtë temë) duhet të jetë një motiv që të ndryshojmë pozitivisht në jetën tonë dhe ta pasojmë atë. Jeta e tij është modeli më i mirë i rrugës që duhet ta ndjekin muslimanët. Jeta e tij paraqet shkollën më të mirë ku u kalitën njerëzit më të mirë të këtij ummeti dhe u pajisën me diplomë besimi direkt nga mësuesi më i madh i të gjitha kohërave nga Muham-medi a.s. Shembujt dhe mësimet nga jeta e tij duhet të jenë për ne burim frymëzimi. Ashtu siq e kuptuan të parët tanë jetën e tij ashtu duhet edhe ne ta kuptojmë. Prandaj nëse pas leximit të jetës së tij ne nuk përjetojmë reformë shpirtërore dhe ideore, por e marim vetëm si kuriozitet, atëherë ne nuk kemi kuptuar asgjë . Të treguarit e dashurisë ndaj Muham-medit a.s vjen në shprehje atëherë kur ne na përputhen qëllimet dhe veprat me fjalët e All-llahut xh.sh dhe të Pejgamberit a.s. Dashurinë ndaj tij do ta shfaqim kur do të punojmë nga ajo që ai na porosit. Në këtë muaj Rebiul evvel, muslimanët organizohen më mirë për ta rikujtuar Muham-medin a.s, ku mes tjerash bëhen organizime të ndryshme fetare, tribuna mbi jetën e Muham-med Mustafas s.a.w.s  këndime fetare, lexohet Kur’an, Salavate, Ilahi, Mevlude dhe dua me të cilët i luten dhe e falënderojnë Zotitn e Madhërishëm për dërgimin e Muham-medit a.s në këtë botë, për mirësitë e shumta që po na përcjellin vazhdimisht dhe për mirësinë më të madhe që na bëri musliman dhe nga um-meti i Muham-medit s.a.w.s. E përfundojmë këtë temë-biografi të shkurtër nga jeta e krijesës më të dashur Muham-medit a.s me një hadith të tij ku thuhet:

,,Besimi ndahet në 70-të e ca degë, më e larta prej tyre është dëshmia(Shehadeti) dhe më e ulëta është të heqësh pengesat nga rruga që mos t’u pengojnë kalimtarëve” Ne në shenjë respekti dhe dashurie ndaj mësuesit më të madh të historikut njerëzor, përcjellim salavatet dhe selamet e pandërprera dhe të përzemërta mbi Muham-medin a.s, familjen, shokët e tij dhe të gjithë besimtarët dhe besimtaret që ishin, janë dhe do të jenë pasues të tij deri në ditën e takimit me Muham-medin s.a.w.s.

All-llahum-me sal-li ala Muham-medin ve ala ali Muham-med

Përgatiti: Menderez ef. Alili, Imam

Xhamia ,, BASHKIMI” Linz

Hutbe,18.12.2015