Warning: Undefined property: DPTDebugProcessor::$fp in /home/.sites/125/site7805860/web/wp-content/plugins/daily-prayer-time-for-mosques/Models/Processors/DebugProcessor.php on line 22 Warning: Undefined property: DPTDebugProcessor::$fp in /home/.sites/125/site7805860/web/wp-content/plugins/daily-prayer-time-for-mosques/Models/Processors/DebugProcessor.php on line 22 Warning: Undefined property: DPTDebugProcessor::$fp in /home/.sites/125/site7805860/web/wp-content/plugins/daily-prayer-time-for-mosques/Models/Processors/DebugProcessor.php on line 22 Mirësia në Islam - Xhamia Bashkimi Linz

Mirësia në Islam

,, Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi. Kini dro dënimit të All-llahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë ´´ (El-Maide, 2).

Hamdi i takon vetëm All-llahut të madhërishëm, përshëndetjet dhe selamet qofshin mbi të dërguarin e Tij, Muham-medin s.a.w. Kënd e udhëzon All-llahu nuk ka mundësi askush të e lajthitë, e kush e humbi vehten, askush përvec Zotit të madhërishëm nuk ka mundësi të e udhëzojë në rrugën e vërtetë.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra:

Tema e kësaj hutbe të sotme ka të bëjë me mirësinë të cilën e kërkon Islami nga ne, duke na treguar në ajete Kur’anore dhe në thënie të Pejgamberit s.a.w. se sa është e rëndësishme të vepruarit vepra të mira dhe sa shpërblime kemi tek All-llahu për to. Poashtu porositë Kur’anore janë që ne si besimtarë të këshillohemi dhe të ndihmohemi në punë të hajrit dhe në asnjë mënyrë në mëkate dhe në armiqësi mes vete,( shih ajetin e sures El-Maide, 2). Në pjesën e fundit të këtij ajeti Kur’anor, All-llahu na porosit të kemi frigë Atë, sepse ndëshkimi i Tij është shumë i fortë dhe i dhembshëm për njerëzit të cilët nuk i respektojnë urdhërat dhe kërkesat e Zotit të lartëmadhëruar. Mirësia sipas Islamit është nocion shumë i gjërë, dhe përkufizimi i saj nuk është i lehtë, nga fakti se njeriu mirësinë mund t’a shpreh dhe ta veprojë në cdo lëvizje të tij. Pra ka shumë mundësi të bësh mirë, dhe sa do të jetë e madhe apo e vogël ajo mirësi që ke bërë, tek All-llahu rritet dhe shpërblehet pa kufi. Pejgamberi s.a.w. në një hadith që e transmeton Nevvas ibn Sem’ani r.a. në lidhje me  mirësinë tha: ,,Mirësia është karakteri i mirë, ndërsa mëkat është ajo që të shtypë në gjoks, kurse nuk dëshiron njerëzit ta dinë ´´ ( Muslimi, 2553 ). Pra Pejgamberi a.s. shumë bukur e bëri dallimin mes mirësisë dhe të keqes, duke na thënë se ndëgjoje zemrën tënde  se a është e kënaqur me punën e bërë apo jo, dhe pastaj e kupton se ke bërë mirë a po keq.. Ai tha në një hadith të tij që e transmeton Vasibe ibn Ma’bedi r.a. i cili thotë: Shkova te Pejgamberi s.a.w. dhe a i më tha: Ke ardhur të më pyesësh për mirësinë dhe mëkatin? Po ja Resulall-llah. Ai mu përgjigj: Pyete zemrën tënde. Mirësi është ajo me cka është i kënaqur shpirti yt dhe zemra yte. Mëkat është ajo që ta ngushton shpirtin dhe mëdyshjet në gjoks, madje edhe nëse njerëzit ta ndajnë dhe lejojnë´´ Darimiu,2421 (Hadithi është hasen, i transmetuar nga Musnedi i Ahmedit dhe Darimiut). Në disa thënie Pejgamberi s.a.w. mirësinë e ka sqaruar duke bërë dallimin mes Hallallit dhe Haramit, dikund me sjellje dhe moral të mirë dhe në disa thënie mirësinë e ka vlerësuar si ajo që të kënaqë shpirtin dhe zemrën. Pra nëse zemra jonë është e rahatshme me punën e bërë atëherë kemi bërë një mirësi. Nëse ke respektuar prindërit dhe më të moshuarit por edhe njerëzit tjerë pa bërë dallim mes tyre, kjo është mirësi. Nëse ke ndihmuar një njeri me nevojë qoftë financiare ose morale, ke bërë mirësi. Nëse i ke zgjidhur dikujt një hall, ke bërë mirë. Nëse ke këshilluar dikënd për dicka të mirë, padyshim ke bërë mirësi. Nëse ke këshilluar dikënd për t’u larguar nga një veprim të keq, ke bërë mirësi. Nëse sillesh mirë edhe me botën bimore dhe me kafshët, je duke bërë mirë. Nëse i ke mësuar dikujt dicka nga edukata Islame, ska dyshim se ke bërë një mirësi, dhe shumë  veprime tjera që sështë mundësia të rradhiten gjitha veprimet e mira që mundet një njeri t’i veprojë. Pra me mirësi nënkuptojmë kryerjen e të gjitha veprimeve positive, të dukshme e të padukshme. Tha All-llahu në Kur’anin f.m. në lidhje me këtë:

,, Nuk është tërë e mira(e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, lajmëtarëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, jetimave, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqeriti dhe të tillët janë ata të devotshmit ´´ ( El-Bekare, 177).

Pra nga ky ajet, shihet se cka është e mirë. Pra të veprosh të gjitha veprat e mira, të dukshmet siq janë dhenia e pasurisë në gjërat që All-llahu është i kënaqur, pastaj të padukshmet siq është besimi në All-llahun, në Melekët e Tij, Librat e Tij, pastaj durimi në situata të rënda etj. Kjo pra është mirësi që kërkohet të veprohet nga ne si besimtarë.  Nëse ne dëshirojmë  të vlerësojmë besimin tonë, dhe të llogarisim se sa të mirë jemi, atëher secili nga ne të sheh se cka mendon për vëllaun e tij, a mendon për të mirësi apo jo, dhe këtu do ta shohim se kush jemi në të vërtetë. Pejgamberi s.a.w. tha:

 ,, Nuk ka besuar askush nga ju, përderisa nuk ja dëshiron vëllaut të vetë atë që e dëshiron për vete´´.

Për fund të kësaj hutbe, lusim Zotin e madhërishëm që të mbjellë në zemrat tona ndjenjën e të vepruarit mirë, dhe të na bën nga ata që ia mendojmë cdokujt të mirën, dhe të veprojmë vetëm mirësi, Amin.

 

Hutbe e mbajtur më 18.07.2014

Xhamia,, BASHKIMI´´ Linz

Menderez Alili, Imam