Haxhi, kushti i pestë i Islamit

,,Vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit‘‘( Ali-Imran:97).

,,Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç All-llahut dhe se Muham-medi s.a.w. është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i  ramazanit ‘‘ (Mut-tefekun alejhi).

Hamdi i takon vetëm All-llahut fuqiplotë, përshëndetjet dhe selamet qofshin gjithmonë mbi pejgamberin tonë të dashur Muham-medin s.a.w. Kënd e udhëzon All-llahu nuk ka mundësi askush të e largonë nga rruga e vërtetë dhe kush e humbi veten e tij askush nuk mund ta drejtonë në të vërtetën përveç fuqisë së Zotit xh.sh.

Të nderuar vëllezër dhe motra, të nderuar besimtarë/e:

Pasiqë jemi në prag të kryerjes së një obligimi të rëndësishëm Islam, dhe një udhëtimi shum të veçantë, një vizite e cila nuk mundë të krahasohet me diçka tjetër, siq është vizita e shtëpisë së All-llahut fuqiplotë, Qabes së bekuar, sot në këtë hutbe të kësaj dite madhështore të ditës së xhuma, do të mundohemi në disa fjalë të tregojmë rëndësinë dhe vlerën e haxhit dhe të besimtarëve qe kanë bërë nijetet e tyre të udhëtojnë në vendet e bekuara për të kryer edhe kushtin e pestë të Islamit, haxhin.

Të nderuar/a besimtarë/e, dhe ju haxhilerë/e:

Islami është ngritur mbi pesë shtylla kryesore të cilat e mbajn të fortë dhe të qëndrueshëm këtë fe madhështore. Pasiqë besimtari realizon me sukses katër kushtet e para të Islamit, dhe i plotëson kushtet për të qenë vizitorë në shtëpinë e All-llahut xh.sh. ai vendosë me emër të Fuqiplotit të kryen edhe kushtin e fundit të Islamit që është haxhi, dhe me këtë mbanë të fortë dhe të qëndrueshme godinën(them kushtimisht) të quajtur Islam.

Ky është një obligim i cili është shumë i rëndësishëm në Islam, por i cili lidhet direkt me pasurinë, që d.m.th. nëse kemi mjete që të udhëtojmë në Qabe dhe tu lëmë familjes pasuri derisa të kthehemi prej Qabes, atëherë jemi të obliguar të udhëtojmë, përndryshe nëse nuk i kemi këto mundësi financiare, atëherë nuk jemi të obliguar të shkojmë në haxh. Veç këtij faktori kryesor që lidhet me shkuarjen ose mosshkuarjen tonë në Qaben e bekuar, janë edhe disa faktorë tjerë që duhet seriozisht të merren në konsideratë, nëse dëshirojmë të kryejmë ibadetet e kërkuara ashtu siq i kërkonë haxhi, e të cilët janë si: shëndeti, liria, mençuria, siguria rrugore, mosha madhore, bindja se haxhi është farz, etj.

Besimtarë/e të nderuar/a:

Vërtetë haxhi është ashtu siq e ka cilësuar Pejgamberi a.s. ku tha se ,,haxhi është luftë‘‘ dhe vërtetë i ngjanë luftës, por jo asaj lufte ku vriten njerëzit, por një luftë që zhvillon haxhiu me vetveten e tij. Kto janë ditë kur njeriu duhet të ndryshon shumë në personalitetin e tij, sepse nëse nuk e arrin një ndryshim të tillë, atëherë haxhillëku i tij nuk i dha frytet që duhet të fitohen gjatë kësaj periudhe të haxhit. Njiashtu, haxhiu përjeton edhe një lodhje në aspektin fizik, si rezultat e obligimeve të shumta që ka gjatë ditëve të haxhit.

Prandaj haxhi nuk duhet të vonohet pa arsye siq ndodhë tek ne, sepse mosha e shtyrë nuk do të jetë në gjendje t’i përballon gjitha ato angazhime dhe detyra që ka haxhiu për t’i kryer, sepse vërtetë, shiquar nga shumë kënde haxhi është luftë, e luftën nuk mund ta përballojnë të moshuarit dhe të sëmurët.

Vëllezër dhe motra, ju të rinjë dhe të reja:

Merre seriozisht kryerjen e haxhit, mos e llogarit thjeshtë një vizitë rutinë. Je duke udhëtuar për të marrë një titull dhe për ta bartë atë titull, të quhesh haxhi. Prandaj mos e nis këtë rrugë thjesht në inatë të dikujt ose tu tregosh të tjerëve se je i pasur, ose për diçka tjetër, por nise këtë udhëtim për hirë të All-llahut sepse vërtetë do jesh musafir i All-llahut fuqiplotë. Nijeti ytë le të jetë më i miri, të bëhesh vërtet një haxhi shembull si atje si këtu kur të kthehesh në vendin tënd. Kij parasysh hadithin e Pejgamberit a.s. i cili tregonë për vlerën e haxhit ku thotë: Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi s.a.w. ka thënë:

,, Kush e kryen haxhin pa bërë mardhënie intime dhe pa i shkelur dispozitat e haxhit, ai kthehet (i pastër nga mëkatet) si atë ditë kur e ka lindur nëna e tij‘‘ (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se kur është pyetur pejgamberi a.s. për veprën e mirë ai tha:

,,Vepra më e mirë është të besosh All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pastaj tha xhihadi në rrugë të All-llahut  dhe pastaj tha haxhi i pranuar‘‘( Buhariu dhe Muslimi).

Haxhi i nderuar: mundohu që të bësh samë shumë adhurim All-llahut xh.sh sepse je në vendet e shenjta ku çdo veprim shpërblehet me më shumë sevape se çdo kund tjetër. Kur të kthehesh nga haxhi mendo se të janë falur gjunahet dhe mos i përsërit ato prap. Të është dhënë mundësia të jeshë në shtëpinë e parë të ndërtuar për ibadet, në Qaben e bekuar, e ke mundësinë të jeshë në vendet ku lindi, jetoi dhe veproi Muham-medi s.a.w. dhe sahabët e tij, prandaj mos rri neglizhent por sakrifiko nga vetja yte, pendohu për mëkatet tua, lutu për familjen tënde dhe për mbarë njerëzimin, sepse je në vendin më të përshtatshëm për ti arritur këto dëshira.

Po e përfundojmë këtë hutbe me fjalët e krijesës më të dashur të Zotit xh.sh. Muham-medit s.a.w. i cili tha:

,, Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveçse xhen-netin‘‘ (Buhariu dhe Muslimi).

 

                                                                          Hutbe e mbajtur më 12.09.2014

                                                                          Xhamia,, Bashkimi‘‘ Linz

                                                                          Imam, Menderez Alili