Frytet e humanitetit në Islam (pjesa e tretë)

Falënderimet i takojnë vetëm All-llahut, ndërsa salavatet dhe selamet le të jenë gjithmonë mbi Muham-medin a.s, familjen e tij, shokët e tij dhe gjithë ndjekësit e rrugës së tij deri në Kijamet.

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra:

Kjo është hutbeja e tretë që po ju drejtohemi me fjalët e të Lartëmadhërishmit xh.sh, që na porosisin për barazi dhe mirëqenje mes njerëzve, duke na tregu se dallimet mes nesh janë vetëm në cështje të devotshmërisë dhe në asgjë tjetër. Në Kur’an thuhet :,, O njerëz, Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe u kemi bërë popuj dhe fise që ta njihni njëri-tjetrin. Më fisniku tek All-llahu është ai i cili më së shumti i ruhet Atij, All-llahu me të vërtetë, është shumë i dijshëm dhe i informuar mirë’’ ( El-Huxhurat, 13).

Kjo liri dhe barazi u arritë e plotë në kohën e Pejgamberit a.s. dhe gjeneratave pas tij, por dikur më vonë sikur filloi ta humbë ndricimin, atehërë kur njerëzit menduan se kanë gjetur dicka më të mirë se udhëzimi dhe mësimi Kur’anor dhe ai profetik., edhe pse gabuan në themel. Në Islam kjo barazi dhe kjo liri është e njejtë për të gjithë pa asnjë dallim. Cka është e lejuar(Halal)për dikë, është edhe për të gjithë, e cka është e ndaluar(Haram)për dikë ,është edhe për të gjithë të tjerët. Shpërblimet dhe dënimet vlejnë për të gjithë, mvaret për cka janë angazhuar në këtë botë. Një herë një fisë Arab, i thanë Muham-medit a.s: Ne po hymë në Islam ama nëse mundet që të na liroshë nga namazi, d.m.th mos të falim namaz. Pejgamberi a.s. u tha atyre:,,Ska hajr nga feja në të cilën nuk falet namaz‘‘

Një rast tjetër shënohet, kur disa shokë të Muham-medit a.s. kishin dashur të ndërmjetësojnë te Muham-medi a.s. që mos t’i pritet dora një gruaje nga fisi Beni Mahzun e cila kishte vjedhur. Kur dëgjoi këtë kërkesë Pejgamberi a.s. ishte hidhëruar pa masë, duke ju kujtuar atyre se kështu ishin shkatërruar ata që ishin para jush, duke i falur njerëzit me famë dhe të pasur e duke i dënuar të varfurit dhe të panjohurit. Edhe sikur Fatimeja, bija ime do të kishte vjedhur, do ja preja dorën.

Edhe ne kohën e pas Muham-medit a.s. kishte shembuj të shumtë ku tregohet veprimi i drejtë dhe i saktë i shokëve të tij, në barazinë dhe drejtësin mes njerëzve. Të cekim një rast në kohën e Omerit r.a. ku djali i Amr b. Asit guvernatorit të Egjiptit, kishte rrahur nje kopt dhe krenoheshte në mesin e njerëzve. Kopti, mori rrugën  nga Egjipti deri në Medine dhe  u ankua te Omeri r.a. Atëherë Omeri r.a. e thirri guvernatorin Amr bin Asin dhe djalin e tij, dhe urdhëroi të dënohen në bazë të atij veprimi që kishte bërë djali i guvernatorit, pastaj e tha këtë fjalë:,, Prej kur i keni robëruar njerëzit, kur e dini se nënat e tyre i kanë lindur të lirë!‘‘ Këtu është ineresant të shihet ky udhëtim që e bëri ky njeri edhe atë nga Egjipti deri në Medine, duke qenë i bindur në drejtësinë e Islamit dhe të Omerit r.a.

Një rast tjetër, kur Aliut r.a. i kishte humbur prazmorja dhe e gjeti një i krishterë i cili nuk ja jepte Aliut r,a sa që erdhi cështja deri në gjykatë. Gjykata e drejtë, kërkoi nga Aliu r.a. argumente se prazmorja është e ti, ai nuk kishte argumente dhe dëshmitarë, kështu që gjykata vendosi në favor të krishterit. Kur e pa këtë gjykim i krishteri, u fascinu dhe menjëherë e tha shehadetin dhe pranoi Islamin, duke mbetur i shtangur se si gjykata gjykoi në favor të tij edhe pse Aliu r.a. ishte kryetar i muslimanëve. Pastaj ja dha prazmoren, e Aliu r.a i tha. Pasi e pranove Islamin, të qoftë falë, e jotja është‘‘. Lusim All-llahun xh.sh që edhe ne të jemi të drejtë dhe të saktë në veprimet tona, Amin.

 

Hutbe e mbajtur më 01.05.2015           Xhamia,, BASHKIMI‘‘ Linz              Imam, Menderez ef. Alili