Duro o agjërues, shpërblimi po afrohet

,, E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua´´(El-Bekare,186).

 

Besimtarë të nderuar, vëllezër dhe motra:

Jemi në përfundim të muajit më të dashur të All-llahut, muajit të paqes, dashurisë, solidaritetit, durimit, ndryshimit, dijes etj. Muajin që Zoti i madhëruar e quajti si ,,muaji i Tij´´ dhe për kryerjen e të cilit paralajmroi shpërblime të shumta. Ky poashtu është edhe muaji më i dashur i besimtarëve, sepse këtë muaj muslimanët e përjetojnë shumë thellë në zemrat e tyre dhe nga i cili përfitojnë shumë në cdo aspekt qoftë ai fizik apo shpirtërorë. Gjithashtu, janë me bindje të plotë se edhe në botën tjetër do të kenë fitime të mdhaja dhe do të jenë nga grupi i njerëzve të dalluar, ku Zoti i madhërishëm do t’i thirrë me emër dhe mbiemër për t’u nisur të marrin premtimet që kishin marrë nga i Plotëfuqishmi. Besimtarët Islam pas ca ditëve do të jenë ata që do të festojnë ditën e madhe të Fiter Bajramit, ditën e gëzimit dhe haresë, dhe me plotë të drejtë do të gëzohen mu si një fëmijë kur i jepet ndonjë dhuratë, sepse qëndruan fort dhe i bënë ballë cdo mundi, vështirësie dhe angazhimi, duke marrë parasysh rrethanat ku jetuan dhe vepruan si obligimet ditore, puna e rëndë, angazhimet familjare e shoqërore, por edhe provokimet që kanë mundur t’i kenë nga ata të cilët nuk agjëruan. Por këtyre nuk ju pengoi aspak ajo sjellje e tyre, këta  treguan vlerën e tyre njerëzore, dhe bindjen e tyre Islame. Ishin mu këta që pranuan këtë obligim me dëshirë dhe pa imponim të askujt. Këta janë ata besimtarë që u gëzuan kur filluan me ditën e parë agjëruese, dhe që do të mërziten pasi do të përshëndeten me musafirin e tyre të dashur pas ca ditëve, me të cilin u mësuan shumë mirë, ngase edhe programi me të cilin erdhi ky musafir i përshtatej shumë rendit që duhet ta kemi ne në familjet muslimane cdo herë.

Besimtarë të nderuar, vëllezër dhe motra:

Cdo fillim e ka edhe përfundimin e tij. Besimtarët e sinqertë nuk u ndikuan negativisht nga fakti se do të duhet një muaj të plotë të abstenojnë nga ushqimi, pijet dhe kontakti intim me bashkëshortet gjatë ditës agjëruese, sepse kur njeriu e pranon dhe ka bindjen e paluhatshme se është kërkesë nga Zoti i madhërishëm, nuk e ka vështirë ta akceptonë edhe këtë. Nga ne u kërkua të jemi të durueshëm dhe me ndihmën e Zotit ja arritëm. Prandaj edhe thirrja jonë nga këtu është: Duro o agjërues, duro edhe pak, duro se je në fundë të lodhjes dhe në fillim të shpërblimit të madh te caktuar nga Zoti f.p vetëm për ty. Ushqehu me mendimin dhe bindjen se shpërblimi është shumë afër, vetëm sa nuk ka arritur. Është fundi i këtij obligimi dhe të cilin nuk kemi aspak dije se a thua do ta shijojmë vitin e ardhshëm, sepse askush nuk e dimë se a do të jemi gjallë vitin tjetër. Ku i dihet, ndoshta ky është agjërimi ynë i fundit, prandaj shfrytëzoje gjer në maksimum. Xhabir ibn Abdil-lah tregon hadithin e Pejgamberit a.s. ku thuhet se um-metit të Muham-medit a.s në këtë muaj i janë dhënë pesë gjëra që nuk i ka pasur asnjë Um-met para nesh. Dhe njëra nga këto të mira është se: ,,All-llahu i Madhëruar i falë të gjithë në natën e fundit´´. Njëri nga ata që ishin present e pyeti: Ja Resulall-llah, a është kjo nata e Kadrit? Ai tha: Jo, a nuk sheh se punëtorët kur kryejnë punët e tyre në fund i marrin (shpërblimet) rrogat´´(Bejhekij).

Bazuar nga kjo thënie e Muham-medit a.s. ne që arritëm në fundin e agjërimit, të shpresojmë dhe të lutemi me përgjërim te All-llahu që të na jep shpërblimin e Tij të pakufishëm për mundin dhe angazhimin tonë gjatë ditëve agjëruese. O Zoti ynë: Mundësona të shijojmë të mirat e kësaj bote dhe të mirat e Ahiretit dhe na ruaj nga zjarri i Xhehen-nemit. O Zoti ynë: Na fal neve, prindërit tanë dhe të të gjithë besimtarët dhe besimtaret në ditën e premtuar, ndihmoi besimtarët në mbarë botën të dalin ngadhnjyes ndaj të tjerëve, për hirë të këtij muaji madhështorë, ja Rab-bel alemin. Amin

 

Hutbe e mbajtur më 25.07.2014

Xhamia,, BASHKIMI´´ Linz

Imam, Menderez Alili